Connect with us

Kosova

Konjufca: Problemi më i madh i dialogut, goditja në mirëbesim që i është bërë nga Serbia

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se problemi kyç në dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë është “goditja në mirëbesim”, që sipas tij, i ka dhënë Beogradi, duke shtuar se nuk pret ndonjë nismë për takime të reja gjatë këtij viti.

Konjufca tha se dy sulmet në Kosovë, ai në Banjskë më 2023 dhe ai në kanalin e Ibër-Lepencit më 2024 dëmtuam mirëbesimin në procesin e normalizimit të raporteve, që ka nisur më 2011 dhe që ndërmjetësohet nga BE-ja.

“Si mundemi ne të ulemi dhe të negociojmë me një palë e cila teksa ne jemi të ulur në tavolinën e dialogut ata prapa shpine organizojnë aksione të cilat e godasin Kosovën në integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Pra, që të mund të ndodhë dialogu duhet një mirëbesim dhe për t’u fituar mirëbesimi nuk është e lehtë sepse ai ka pësuar goditje të rënda sidomos me këto dy sulmet që ne i kemi parë”, tha Konjufca.

Takimi i fundit në nivel liderësh mes Kosovës dhe Serbisë ishte zhvilluar në shtator të vitit 2023, disa ditë para sulmit në Banjskë, kur u vra në polic i Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Konjufca tha se shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dhe 27 shtetet anëtare u shprehën të gatshme që të ndihmojnë në ndërtimin e mirëbesimit, por shtoi se për shkak se Kosova është në proces zgjedhor, dhe po ashtu Serbia pritet të mbajë zgjedhje të reja, nuk pret ndonjë nismë për ndonjë takim të ri së shpejti.

Ndërkaq, homologu serb, Marko Gjuriq, tha më herët se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është formuar ende, edhe pse ishte një detyrim i nënshkruar në Bruksel.

Gjuriq tha se përfaqësuesit e Kosovës janë përpjekur ta fajësojnë Serbinë për probleme të ndryshme rajonale dhe e kanë portretizuar vazhdimisht atë si burim të paqëndrueshmërisë.

Advertisement