Kosova
Osmani akuza Kurtit: Bisedoi me orë të tëra me Vuçiçin, por askush nuk e di çfarë ka folur
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur dyshime mbi përmbajtjen e bisedave që kryeministri kosovar, Albin Kurti, ka zhvilluar në takime të mbyllura me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ish-përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, në Bruksel.
Gjatë një tubimi me qytetarë në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ajo ka theksuar se Kurti nuk i ka treguar as Presidencës së Kosovës, as deputetëve, përmbajtjen e bisedave në kuadër të dialogut, duke paralajmëruar se pas ciklit të ri zgjedhor, do të iniciojë formimin e një komimisioni parlamentar për të zbardhur detajet e bisedës Kurti-Vuçiç.
“Çfarë ka folur ai veç me Vuçiçin dhe Lajçakun brenda një dhome [ku] askush tjetër nuk ka qenë aty? Edhe kogja gjatë. Çfarë është diskutuar aty, askush nuk e di. Nuk kanë treguar kurrë se për çfarë kanë biseduar… Por në parlamentin e ardhshëm do të kërkoj komision hetimor për të kuptuar çka kanë diskutuar ata”, ka deklaruar Osmani.
Ndryshe, takimi i fundit publik i nivelit të lartë në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç është mbajtur më 14 shtator 2023. Që nga ajo kohë, nuk ka pasur takime mes tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, kryesisht për shkak të tensioneve pas sulmit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023.