Connect with us

Kosova

Osmani thotë se nuk “shqetësohet” për votat: Projekti shkon edhe përtej Lidhjes Demokratike të Kosovës

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë i ka hyrë garës për zgjedhjet e 7 qershorit, ka deklaruar se nuk shqetësohet për numrin e votave që do të marrë në këto zgjedhje.

Osmani ka thënë se projekti në të cilin është përfshirë shkon edhe përtej Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilën do të garojë në zgjedhje.

“Unë nuk e kam hallin tek numri i votave, unë kam ardhur për një projekt të përbashkët që shkon shumë përtej nesh, shkon shumë përtej LDK-së si parti dhe ka të bëjë me krijimin e një balance demokratike në institucionet tona, që është e domosdoshme për të ndalur një herë e përgjithmonë përcarjen mes shqiptarëve dhe për të mundësuar hapa konkretë, të mëdhenj dhe strategjikë rreth integrimit euroatlantik”, deklaroi ajo.

Sipas saj, kjo është e mundur vetëm nëse secili prej 110 kandidatëve në listën e LDK-së nuk mendon vetëm sa vota do të marrë.

Pas pesë viteve të një imazhi të rezervuar dhe të matur si ish-presidente e Kosovës, Osmani ka nisur një fushatë që duket krejt ndryshe nga mënyra se si qytetarët u mësuan ta shohin.

Në vend të tonit institucional dhe të balancuar të së kaluarës, Osmani po synon të ndërtojë një lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke u shfaqur në takime publike, duke komentuar çështje aktuale dhe duke përdorur një gjuhë më të ashpër ndaj partisë që dikur e përkrahte, Lëvizjes Vetëvendosje.
Advertisement