Kosova
BE ‘humb durimin’, planifikon takimin e lartë mes Kosovës dhe Serbisë
Bashkimi Evropian po planifikon organizimin e një takimi të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, sapo të krijohen kushtet e nevojshme politike për zhvillimin e tij.
Një nga kërkesat kryesore të Brukselit është që palët të marrin pjesë pa vendosur kushte paraprake për uljen në tryezën e dialogut.
“Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do të thërrasë një takim të dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sapo rrethanat ta lejojnë. Presim që liderët e të dyja palëve të marrin pjesë pa kushte paraprake”, thuhet në një përgjigje të Bashkimit Evropian, siç raportohet nga mediat në Kosovë.
Në fokus të këtij takimi pritet të jenë disa çështje të rëndësishme të dialogut, përfshirë edhe mosbllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Reagimi i Brukselit erdhi pas deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili pak ditë më parë deklaroi se Serbia kishte lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë mbledhjes së ministrave të Jashtëm të kësaj organizate në Kishinau të Moldavisë.
BE-ja ritheksoi se zbatimi i marrëveshjeve të arritura mbetet thelbësor për rrugën evropiane të dy vendeve.
“Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, është kusht që si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”, thuhet më tej në përgjigje.
Brukseli kujtoi gjithashtu se, sipas Nenit 4 të Marrëveshjes së Ohrit, Serbia është zotuar të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.