Kronike
Me armë ndaj policisë greke, plagoset shqiptari, i kapet çanta me granata dhe municione
Një përplasje me armë zjarri mes një shqiptari dhe policisë në orët e para të mëngjesit të sotëm tronditi zonën e Mikrolimanos në Greqi. Bëhet me dije se i plagosur mbeti shqiptari Astrit Hasani, i njohur ndryshe me nofkën “Titi”.
Ngjarja ndodhi pak para orës 05:00, kur oficerët e policisë greke, gjatë një patrullimi rutinë, i kërkuan 42-vjeçarit Hasani të ndalonte për kontroll. Sipas autoriteteve, ai tentoi të largohej dhe më pas nxori armën duke e drejtuar ndaj efektivëve.
“Oficerët e policisë reaguan menjëherë sapo shqiptari drejtoi armën, duke u pozicionuar përpara se të qëllonin”, deklaroi zëdhënësja e Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou.
Pas ndërhyrjes së policisë, Hasani u plagos dhe u transportua me ambulancë në Spitalin Attikon, ndërsa raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit, policia greke zbuloi një arsenal armësh në posedim të tij. Autoritetet sekuestruan dy pistoleta, një revolver dhe një çantë me gjashtë granata, e cila u gjet pranë vendit të ngjarjes. Zona u rrethua menjëherë, ndërsa ekspertët e antieksplozivit kryen kontrolle për neutralizimin e municioneve.
Sipas mediave greke, Astrit Hasani dyshohet të ketë lidhje me persona të botës së krimit dhe jetës së natës në Greqi. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu përfshirjen e tij në incidente të mëparshme me armë, ndërsa Drejtoria e Krimit të Organizuar ka marrë nën hetim çështjen.
