Connect with us

Bota

Përshkallëzim i rrezikshëm në kufi, ushtarët izraelitë avancojnë në jug të Libanit

Forcat izraelite kanë nisur operacione tokësore përtej “Vijës së Verdhë”, kufiri verior i zonës së sigurisë ushtarake të vetëshpallur nga Izraeli në Libanin jugor. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar ushtarak izraelit për ‘CNN’.

Sipas zyrtarit, operacionet e zgjeruara, të cilat u përshkruan si “të synuara”, kanë si objektiv shtyrjen më larg të kapaciteteve shpërthyese me dronë të Hezbollahut dhe largimin e kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj komuniteteve izraelite pranë kufirit.

“Qëllimi i operacioneve është të shtyjë aftësitë shpërthyese të dronëve të Hezbollahut më larg kufirit dhe në këtë mënyrë të largojë kërcënimet e drejtpërdrejta”, tha zyrtari ushtarak izraelit për CNN.

“Vija e Verdhë” shtrihet disa kilometra në veri të kufirit mes Izraelit dhe Libanit dhe në një pjesë kryqëzohet me lumin Litani. Sipas raportimeve, rreth 55 qytete dhe fshatra në jug të kësaj vije ndodhen aktualisht nën kontrollin izraelit.

Në javët e fundit, forcat izraelite kishin shmangur operacionet përtej kësaj zone, pas kërkesave të SHBA-së, e cila po ndërmjetëson negociata të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit.

Megjithatë, raportohet se Izraeli ka vendosur të intensifikojë operacionet kundër infrastrukturës së dronëve të Hezbollahut në koordinim me SHBA-në.

Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan se gjatë natës goditën më shumë se 100 objektiva të Hezbollahut në Liban dhe lëshuan urdhra të gjera evakuimi për banorët e qytetit Nabatieh në jug të vendit.

“Kushdo që ndodhet pranë operativëve ose objekteve të Hezbollahut mund të rrezikojë jetën e vet”, paralajmëroi IDF në deklaratën e saj.

Advertisement