Connect with us

Aktualitet

Terapia hormonale në QSUT për transgjinorët/ Ilaçet do të merren në farmaci

Terapia hormonale që do të ofrohet për herë të parë në QSUT për transgjinorët, sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë të 28 prillit, do të përfshijë konsultat me mjekë dhe caktimin e një kure të përshtatshme sipas moshës dhe gjendjes së personave transgjinorë, në mënyrë që të ketë sa më pak efekte anësore. Burime për Report Tv bëjnë me dije se terapia hormonale, do të merret në rrjetin farmaceutik, ndërsa të njëjtat burime thonë se më vonë, do të shihet edhe mundësia, që hormonet, pjesë të këtyre trajtimeve, të futen në listën e rimbursueshme.

Urdhri përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe monitorimin për terapinë hormonale, e cila do të ofrohet në QSUT dhe do të mbulohet nga fondet publike. Trajtimi do të jetë i aksesueshëm për burrat transgjinorë që kalojnë nga vajzë në burrë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore që kalojnë nga burrë në grua ërmes estrogjenit dhe anti-androgjenëve.

Si rregull, terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, dhe vetëm me vlerësim të specializuar, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç. Kjo, në kushtet kur vlerësohet nga mjekët dhe ka miratimin e familjes.

Përpara nisjes së trajtimit, pacientët duhet t’i nënshtrohen vlerësimeve mjekësore dhe psikosociale, analizave hormonale dhe ekzaminimeve laboratorike. Ata duhet gjithashtu të nënshkruajnë “Fletën e Pëlqimit të Informuar”, ku pranojnë se janë njohur me efektet, rreziqet dhe pasojat e mundshme afatgjata të terapisë, përfshirë ndikimin në fertilitet.

Protokolli paralajmëron edhe për rreziqet mjekësore që mund të shoqërojnë terapinë hormonale, si problemet kardiovaskulare, hipertensioni, çrregullimet metabolike apo komplikacionet tromboembolike. Për këtë arsye, pacientët do të monitorohen periodikisht, sidomos gjatë vitit të parë të trajtimit.

Gjatë dy viteve terapi, tek burrat transgjinorë mund të ndodhin trashja e zërit, rritja e qimeve dhe shtimi i masës muskulore, ndërsa tek gratë transgjinore mund të shfaqet zhvillimi i gjoksit, zbutja e lëkurës dhe reduktimi i qimeve trupore.

Deri më tani, persona nga komuniteti LGBTQI+, në pamundësi për të kryer tranzicionin në Shqipëri, i janë drejtuar vendeve fqinje, kryesisht klinikave private në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa kostot e një operacioni për transformimin gjinor arrijnë në 15.000 mijë euro

Mundësia që personat transgjinorë të kenë akses në shëndetësi, për kurat hormonale ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit LGBTQI+ në Shqipëri.

Advertisement