Rajon
U aksidentua me motor, vdes pas 8 muajsh në spital i riu shqiptar
Një i ri shqiptar ka humbur jetën, tetë muaj pasi u përfshi në një aksident të rëndë me motor në ishullin e Rodosit, në Greqi.
17-vjeçari kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë gjatë përplasjes së dhunshme mes dy motoçikletave, ngjarje e ndodhur më 29 tetor 2025 pranë një institucioni universitar në Rodos. Që nga momenti i aksidentit, gjendja e tij u konsiderua kritike dhe ai u transportua me urgjencë në spital nga ekipet e emergjencës.
Sipas mediave greke, adoleshenti qëndroi i shtruar për rreth gjashtë muaj në spital, ku mjekët luftuan për ta mbajtur në jetë. Më pas ai u transferua në një qendër rehabilitimi në Larisa, ku vijoi trajtimin për dy muaj të tjerë.
Pavarësisht përkujdesjes së vazhdueshme mjekësore dhe shpresës së familjarëve për një përmirësim të gjendjes së tij, 17-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra në aksident dhe ndërroi jetë.
Pas vdekjes së të riut, trupi i tij është transportuar në Shqipëri nga babai, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore.