Politike
SHBA I HEQ NON GRATEN SALI BERISHES
Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur t’i heqë statusin “non grata” kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Vendimi i është komunikuar Berishës përmes një telefonate nga e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn.
Lajmi është pritur me entuziazëm nga deputetët demokratë, ndërsa Berisha është duartrokitur në sallën e Kuvendit. Deri më tani, ai nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare lidhur me këtë zhvillim.
Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 19 maj 2021. Në atë kohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, argumentoi vendimin me pretendime për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm gjatë ushtrimit të funksioneve publike.
Në deklaratën e publikuar atëherë, Blinken akuzonte Berishën për shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në procese publike për përfitime personale dhe familjare. Po ashtu, sanksioni u shtri edhe ndaj bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit Shkëlzen Berisha dhe vajzës Argita Berisha Malltezi, duke u ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
Berisha i ka kundërshtuar vazhdimisht këto akuza, duke i cilësuar si të pabaza dhe të motivuara politikisht.