Bota
Samiti i Turqisë/ NATO nxjerr “armën” miliardëshe për të zbutur Trump
Liderët e NATO-s pritet të shpallin sot në Ankara një paketë marrëveshjesh për armatime me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, në një përpjekje për të treguar se aleatët evropianë po i përgjigjen kërkesave të Shteteve të Bashkuara për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje. Njoftimet do të bëhen përpara samitit të Aleancës, ku do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Qeveritë evropiane do t’i prezantojnë marrëveshjet gjatë një forumi të industrisë së mbrojtjes të NATO-s, përpara mbërritjes së Trump për takimin me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe liderët e tjerë të Aleancës. Samiti nis mbrëmjen e sotme me një darkë zyrtare, shkruan Reuters.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se vendet evropiane kanë rritur në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për mbrojtjen. Sipas tij, kjo lidhet si me rritjen e kërcënimit nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, ashtu edhe me presionin e vazhdueshëm të ushtruar nga Donald Trump ndaj aleatëve për të kontribuar më shumë në sigurinë e Evropës.
Trump ka kritikuar prej vitesh vendet evropiane, duke argumentuar se ato mbështeten në mënyrë disproporcionale te SHBA-ja për mbrojtjen kolektive të NATO-s. Rutte tha se Aleanca po ndërton një model më të qëndrueshëm, ku edhe Uashingtoni e konsideron ndarjen e barrës së mbrojtjes si të drejtë.
Muajin e kaluar, Rutte bëri të ditur se anëtarët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja kanë shpenzuar në vitin 2025 rreth 90 miliardë dollarë më shumë për mbrojtjen krahasuar me vitin 2024, duke e çuar totalin në 570 miliardë dollarë, ose rreth 20 për qind më shumë brenda një viti.
Megjithatë, muajt e fundit Trump ka rikthyer kritikat ndaj aleatëve të NATO-s. Ai i ka akuzuar ata se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbështetur SHBA-në gjatë konfliktit me Iranin dhe ka lënë të kuptohet se mund të rishqyrtojë angazhimin amerikan ndaj Aleancës ose ndaj detyrimeve të mbrojtjes kolektive.
Ndërkohë, SHBA ka njoftuar tërheqjen e një pjese të trupave nga Evropa, reduktimin e disa kapaciteteve të caktuara në planet mbrojtëse të NATO-s, përfshirë një aeroplanmbajtëse, avionë furnizimi në ajër, avionë luftarakë dhe dronë, si edhe ka nisur një rishikim gjashtëmujor të pranisë së saj ushtarake në kontinent.
Sipas zyrtarëve evropianë, aleatët janë të përgatitur për kritika të reja nga Trump gjatë samitit, por shpresojnë se marrëdhëniet e tij të afërta me presidentin Erdoğan dhe sekretarin e përgjithshëm Mark Rutte do të ndihmojnë në ruajtjen e një klime konstruktive. Megjithatë, ata pranojnë se mbeten pasiguri për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me Grenlandën, Iranin dhe marrëdhënieve të tensionuara të Trump me disa liderë evropianë.
Detajet e plota të marrëveshjeve të armëve nuk janë bërë publike. Megjithatë, ministrja holandeze e Mbrojtjes, Dilan Yesilgoz, deklaroi për Reuters se Holanda do të shpallë projekte dhe marrëveshje me vlerë mbi 3 miliardë euro, përfshirë bashkëpunimin me Belgjikën në fushën e mbrojtjes ajrore dhe me Britaninë e Madhe për ndërtimin e anijeve luftarake.
Reuters raportoi gjithashtu, duke cituar katër burime, se NATO pritet të njoftojë zëvendësimin e flotës së vjetër të avionëve të vëzhgimit AWACS, të prodhuar në SHBA, me sistemin suedez GlobalEye të kompanisë Saab.