Politike
PD përçau protestën? Berisha e mohon: Kemi kontribuar me masa konkretë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mohuar pretendimet se PD po përpiqet të përçajë protestën, pas tensioneve dhe përplasjeve të fundit mes militantëve të kësaj force politike dhe protestuesve në Tiranë.
Pavarësisht refuzimit që mbështetësit e PD-së kanë hasur sërish nga një pjesë e protestuesve, Berisha deklaroi se partia që drejton ka qenë mbështetëse e tubimit dhe ka ndërmarrë hapa konkretë për t’u ardhur në ndihmë pjesëmarrësve.
Ai bëri të ditur se qindra studentë dhe protestues kanë marrë mbështetjen e PD-së në komisariate dhe spitale, ndërsa zyrat ligjore të partisë u kanë ofruar shërbime mbi 600 protestuesve.
Berisha hodhi poshtë çdo pretendim për përçarje, duke theksuar se PD do të vijojë të mbështesë protestën dhe të bashkëpunojë me të gjithë ata që kundërshtojnë qeverisjen e Edi Ramës.
“Ne e kemi mbështetur protestën. Partia Demokratike, me masa konkrete, është përpjekur të kontribuojë, të mbështesë protestën, sikundër ka ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur studentë e gjimnazistë brenda e jashtë vendit.
Janë qindra studentë e protestues që kanë pasur përkujdesjen e plotë të PD në komisariate, në spital. Zyrat ligjore të PD u kanë ofruar shërbime mbi 600 protestuesve që kanë pasur nevojë për shërbime ligjore.
Në asnjë rrethanë nuk kemi bërë as edhe një hap më të vogël në përçarje të asnjë proteste, përkundrazi kemi bërë gjithçka dhe do të bëjmë për suksesin e saj”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së komentoi gjithashtu edhe përplasjet rreth organizimit të protestës, duke akuzuar kundërshtarët se po përpiqen të përdorin të njëjtat metoda që, sipas tij, çuan në dështimin e protestës së njohur si “protesta e flamingove”.
Në përfundim, Berisha u shpreh se Partia Demokratike mbetet e gatshme të bashkëpunojë me çdo grupim që synon largimin e qeverisë aktuale.