Bota
Sanchez sfidon Trumpin dhe të djathtën ekstreme: Spanja nuk qeveriset nga Uashingtoni
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka dërguar një mesazh të fortë politik në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 29 nëntorit, duke deklaruar se Spanja qeveriset nga vetë qytetarët e saj dhe jo nga fuqitë e huaja.
Gjatë një aktiviteti elektoral në Tarragona, Sanchez u zotua se nuk do të lejojë që vendi të bëhet një pikë mbështetjeje për të djathtën ekstreme ndërkombëtare.
“Më 29 nëntor, ne do t’u tregojmë atyre me votat tona se Spanja qeveriset nga Spanja, jo nga Uashingtoni, jo nga Tel Avivi, jo nga Buenos Aires, jo nga Moska, por nga Spanja”, deklaroi ai.
Kryeministri shtoi se vendi nuk do të lejojë të shndërrohet në një bazë të së djathtës ekstreme ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij, Sanchez mbrojti gjithashtu politikën e jashtme të qeverisë, duke përsëritur kundërshtimin ndaj luftës në Iran dhe duke e cilësuar situatën në Gaza si gjenocid. Ai riafirmoi mbështetjen e Spanjës për krijimin e shtetit palestinez dhe bashkëjetesën paqësore mes Izraelit dhe Palestinës.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte shpenzimi për mbrojtjen. Sanchez mbrojti vendimin për të mos pranuar kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump që vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
Sipas tij, Spanja duhet të vazhdojë t’u japë përparësi investimeve në arsim, shëndetësi, kujdes social dhe pensione, në vend që të rrisë shpenzimet ushtarake në nivelin e kërkuar.
Në përfundim, kreu i qeverisë spanjolle u zotua se do të vijojë qëndrimin kundër së djathtës ekstreme, duke e përshkruar Spanjën si një “fener” që mund të frymëzojë edhe vende të tjera