Connect with us

Politike

Nga plehrat te autobusët/ Rama: Shqiptarët nuk janë negativë, janë bërë më kërkues

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka lënë pas shumë nga problemet bazike të së kaluarës dhe se tashmë sfida kryesore është rritja e cilësisë së shërbimeve publike, në përputhje me kërkesat gjithnjë e më të larta të qytetarëve. Rama solli si shembull edhe menaxhimin e mbetjeve, duke theksuar se dikur shqetësimi ishte nëse makina e plehrave vinte një herë në javë, ndërsa sot debati është për mënyrën e përpunimit të mbetjeve.

Kryeministri u ndal edhe te perceptimi për shoqërinë shqiptare, duke theksuar se qytetarët nuk janë bërë më negativë, por më kërkues ndaj institucioneve dhe shërbimeve publike. Sipas tij, përmirësimi i mëtejshëm i shërbimeve nuk është vetëm një objektiv administrativ, por një domosdoshmëri për funksionimin e shoqërisë demokratike dhe ekonomisë së tregut.

“Transporti publik, dikur përpara rilindjes urbane, furgonët ishin normaliteti. Lufta për të hequr furgonët ishte si një luftë për të luftuar Covidin me grushte, sot as nuk behët fjalë që ne të pretendojmë që njerëzit të jenë të kënaqur me transportin publik, pavarësisht se ka linja dhe autobusët etj etj. Duhet nivel tjetër. E tha ministri çështjen e mbetjeve, dikur nuk ishte problem se si përpunohen mbetjet, dikur ishte çështja se kur vinte makina e plehrave që vinte njëherë në javë, ndërkohë sot shqetësimi sot është si përpunohen mbetjet. 

Kush mendon se shoqëria është bërë më negative, nuk duhet të merret me politikë, nuk duhet të merret me punë, të cilat janë funksion dhe shërbim publik, sepse nuk përballon dot atë që e percepton si negativitet. Sot kush merret me këtë punë, duhet thjesht dhe vetëm ta ketë të ndarë mendjen se shoqëria është bërë më kërkuese, jo më negative. Se si e shpreh shoqëria kërkesën, është një tjetër temë, që nuk jemi këtu për këtë, por ne jemi këtu  për të kuptuar se duhet kaluar në një nivel tjetër me patjetër dhe kjo nuk është thjesht sot një çështje shërbimesh, por është një çështje ekzistenciale e shoqërisë demokratike, është një çështje ekzistenciale e shoqërisë së ekonomisë së lirë të tregut, e një shoqërie që bazohet te sipërmarrja për të mos lejuar që pastaj Shqipëria të kthehet me kokë poshtë”, tha Rama

Advertisement