Connect with us

Politike

‘Mos i intimidoni njerëzit’/ Zegjine Çaushi e shqetësuar: Nuk mund t’i mohohet askujt e drejta për të pirë kafe

Deputetja e PS-së, Zegjine Çaushi në një postim të gjatë në Facebook, ka shprehur shqetësimin në lidhje me komente negative në rrjetet sociale. Sipas Çuashit, në rrjetet sociale është duke u përhapur një gjuhë urrejtje, që bëhet me urdhër të disa personave.

Deputetja socialiste i quan sulmet ndaj biznesit me komente të organizuar, si goditje ndaj ekonomisë shqiptare.

Po ashtu Zegjine Çaushi shkruan se problem ngelet edhe thirrjet gjatë protestës. Sipas saj, qytetarët shahen dhe ofendohen vetëm sepse nuk zgjedhin t’i bashkohen protestës dhe se askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të pirë kafe apo për të kaluar në bulevard.

Protesta është një e drejtë dhe duhet respektuar. Por po aq duhet respektuar edhe e drejta e çdo qytetari për të zgjedhur vetë, për të lëvizur i lirë dhe për të jetuar pa presion apo intimidim”, thekson ligjvënësja socialiste.

Postimi i plotë:

Është e papranueshme që gjuha e urrejtjes po bëhet gjithnjë e më normale.

Mjafton një video apo një foto dhe menjëherë shpërthejnë sharjet, fyerjet dhe komentet negative nga njerëz që nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të sulmojnë e të përhapin urrejtje, sepse kështu u kërkohet nga ata që i drejtojnë.

Së fundmi është krijuar një klimë linçimi publik, ku bizneset goditen me komente të organizuara dhe u dëmtohet reputacioni. Kur sulmohet një biznes, nuk dëmtohet vetëm pronari, por edhe njerëzit që punojnë aty, familjet e tyre dhe ekonomia shqiptare.

Por ju nuk e kuptoni këtë, sepse nuk mendoni për Shqipërinë dhe shqiptarët , por vetëm për interesat tuaja personale.

Por problemi nuk mbaron këtu.

Qytetarët shahen dhe ofendohen vetëm sepse nuk zgjedhin t’i bashkohen një proteste. Nuk mund t’i mohohet askujt e drejta për të pirë një kafe, për të kaluar në bulevard apo për të bërë jetën e tij të përditshme vetëm sepse nuk mendon si ju.

Protesta është një e drejtë dhe duhet respektuar. Por po aq duhet respektuar edhe e drejta e çdo qytetari për të zgjedhur vetë, për të lëvizur i lirë dhe për të jetuar pa presion apo intimidim.

Shqipëria e re nuk ndërtohet me gjuhë urrejtjeje, me linçim, me sulme ndaj bizneseve dhe me presion”për burg” ndaj qytetarëve

Ju nuk mund të jeni KURRË Shqipëria e re që pretendoni të sillni.

Advertisement