Connect with us

Politike

Arrestimi i Ermal Beqirit, Tabaku: Të zbardhet çështja e AKSHI-t

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pas arrestimit të biznesmenit Ermal Beqiri në Francë për abuzimet me tenderët e AKSHI-t, duke kërkuar hetimin e plotë të personave që sipas saj ndërtuan dhe mbështetën politikisht skemën. Tabaku e cilësoi arrestimin si një zhvillim pozitiv, por theksoi se ndalimi i një personi nuk mjafton për të çmontuar atë që ajo e përshkruan si një sistem të gjerë abuzimi me fondet publike.

“Arrestimi i Ermal Beqirit duhet të hapë rrugën për zbardhjen e plotë të një prej skandaleve më të mëdha të qeverisjes socialiste”, deklaroi deputetja demokrate.

Sipas Tabakut, fakti që Beqiri u ndalua jashtë vendit dhe jo përmes një operacioni të Policisë së Shtetit nxjerr në pah dështimin e institucioneve shqiptare për të goditur personat e akuzuar për abuzime me paratë e taksapaguesve.

“Dosja e AKSHI-t tregon se si buxheti i shtetit ishte hakeruar nga brenda”, u shpreh Tabaku, duke iu referuar akuzave të ngritura ndaj personave të përfshirë në hetim.

Deputetja e PD-së përmendi edhe Ergys Agasin, të cilin e cilësoi si “zëvendëskryeministrin në hije”, duke pretenduar se ai ushtronte ndikim në përcaktimin e fituesve të tenderëve në fushën e teknologjisë së informacionit.

Tabaku kërkoi që hetimet të mos kufizohen vetëm te personat që dyshohet se kanë zbatuar skemën, por të shtrihet deri në majë, duke shkruar se sipas saj përgjegjësia politike shkon deri te Edi Rama.

“Ermal Beqiri, Ergys Agasi dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje nuk mund të trajtohen si raste të izoluara. Duhet të zbardhet plotësisht nëse kanë pasur mbrojtje, bekim dhe mbështetje politike. Ky pushtet i ka kthyer fondet dhe favoret publike në instrumente për ruajtjen e pushtetit. Ky është sistemi që ka kapur ekonominë, ka deformuar konkurrencën dhe ka dëmtuar biznesin e ndershëm. Përgjegjësia politike shkon deri në majë. Arkitekti i këtij sistemi është Edi Rama dhe largimi i tij është hapi i parë drejt çmontimit të tij”, shkruan Tabaku.

Advertisement