Kronike
Një familje e shuar nga zjarri, jepet lamtumira e fundit për nënën dhe dy fëmijët e mitur
Shkodra i jep sot lamtumirën e fundit nënës dhe dy fëmijëve të saj, të cilët humbën jetën tragjikisht në zjarrin që përfshiu një banesë në fshatin Domen të njësisë administrative Postribë.
Bleona Çelaj, 24 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj të mitur, Amari 3 vjeç dhe Anuari 1 vjeç, do të përcillen sot në banesën e fundit. Ceremonia mortore do të zhvillohet më 30 korrik, në orën 15:00, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e Domnit.
Familjarët kanë bërë të ditur se pritja e ngushëllimeve do të zhvillohet në zonën e Golemit, ndërsa familja do të presë vizita për tre ditë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në komunitet, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për zbardhjen e rrethanave që çuan në përfshirjen nga flakët të banesës ku humbën jetën nëna dhe dy fëmijët e saj.