Politike
Rama kërkon reflektim të thellë: PS duhet të bëjë përjashtim
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje drejtuesve të Partisë Socialiste, grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar të reflektojnë mbi mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive politike, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm me qytetarët.
Në fjalën e mbajtur gjatë një takimi me strukturat drejtuese të PS-së, Rama tha se shumë forca politike kanë humbur mbështetjen e qytetarëve pasi, sipas tij, kanë qenë të hapura ndaj shqetësimeve të tyre gjatë fushatave zgjedhore, por nuk kanë ruajtur të njëjtën qasje gjatë qeverisjes.
“Ata që kanë humbur armatat e fitoreve të gjithë bashkë, kanë pasur natyrisht karakteristika të ndryshme, por kanë paguar një haraç të përbashkët: Kanë fituar me veshë të hapur, kanë qeverisur me veshë të mbyllur. Partia Socialiste duhet të hyjë tek përjashtimet. Ky është misioni ynë lidhur me Partinë Socialiste.
Mund të duket shumë e ekzagjeruar, po më besoni është po aq e thjeshtë sa ç’duket e ekzagjeruar nga lidershipi i sotëm i Partisë Socialiste. Dhe ju e dini se unë e përsëris gjithmonë, me lidership nuk kuptoj veten, kuptoj të gjithë grupin drejtues të Partisë Socialiste, kuptoj grupin parlamentar dhe kuptoj qeverinë së bashku me drejtimin, kuptohet, të vetë partisë. Varet jo thjesht se a do fitojë Partia Socialiste më tutje, por varet a do të bëhet Partia Socialiste përjashtim apo do të përjashtohet nga historia e mëtejshme e këtij vendi.
Kjo është pak, po më besoni që kjo është e sigurtë: Nëse Partia Socialiste do të bëhet përjashtim, ose më saktë nuk do jetë përjashtimi i vetëm se ka dhe përjashtime të tjera, do të hyjë tek përjashtimet, atëherë Partia Socialiste do të jetë jo në skenë, por do të jetë në qendrën e skenës, edhe pasi të paktën disa nga ne këtu mos jenë në këtë detyrë. Nëse jo, atëherë nuk do ketë skenë për Partinë Socialiste. Ka një sërë forcash historike që nuk i solla këtu në atë rrëfimin tim, që kanë pasur karakteristika të ngjashme dhe që sot nuk ekzistojnë”, tha ai.