Aktualitet
Kufiri që duhej të na bashkonte, u kthye në ferr: Qytetarët piqen në radhë, institucionet fshihen pas “rregullave”
Radhë kilometrike dhe dhjetëra automjete të bllokuara janë krijuar këtë të premte në pikën kufitare Morinë–Vërmicë, duke i detyruar udhëtarët të presin nën temperatura ekstreme.
Shkaku nuk ishte një incident i papritur, por përplasja e disa vendimeve administrative që, të marra pa koordinimin e duhur, prodhuan kaos.
Kosova kufizoi nga ora 11:00 deri në 17:00 qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë për shkak të temperaturave të larta. Në Shqipëri, ndërkohë, kufizimi veror për kamionët nis të premten në orën 15:00 dhe vazhdon gjatë fundjavës. Situata u rëndua edhe nga kontrollet e automjeteve me targa të huaja.
Secila palë mund të ketë një arsye të shkruar në letër. Por qytetari nuk udhëton mbi letra. Qytetari mbetet në asfalt, në vapë, duke djegur karburant dhe duke paguar paaftësinë e institucioneve për të bashkërenduar dy vendime të parashikueshme.
Shqipëria dhe Kosova flasin vazhdimisht për lehtësimin e lëvizjes dhe kufirin që duhet t’i bashkojë shqiptarët. Por çfarë vlere kanë deklaratat, kur në kulmin e sezonit turistik një udhëtim normal kthehet në një provë durimi?
Kush i koordinoi këto masa? Përse u lejuan të përplaseshin në të njëjtat orare? Përse nuk u krijua një plan i posaçëm për fluksin dhe nuk u informuan udhëtarët në kohë reale?
Sipas të dhënave zyrtare të Kosovës, në orën 18:06 situata në Vërmicë ishte lehtësuar në rreth 10–15 minuta pritje dhe 50 metra kolonë. Por normalizimi i mëvonshëm nuk e fshin kaosin dhe vuajtjen e krijuar më herët.
Qytetarët nuk kanë nevojë për fjalime patriotike. Kanë nevojë për një kufi që funksionon.