Kosova
Brukseli vendos vijën e kuqe: Kosova dhe Serbia duhet të rikthehen te marrëveshjet
Bashkimi Evropian ka përcjellë një mesazh të qartë për Kosovën dhe Serbinë, duke kërkuar shmangien e deklaratave dhe veprimeve që, sipas Brukselit, nuk kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian theksoi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet rruga e vetme për të arritur përparim, duke nënvizuar se stabiliteti në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd është një kusht i rëndësishëm për të dyja palët në procesin e integrimit evropian.
Reagimi i Brukselit erdhi pas deklaratave të fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me Kosovën, ndërsa BE-ja përsëriti thirrjen që palët të fokusohen te zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe jo te përplasjet politike.
Serbia vijon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, ndërsa dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që prej vitit 2011.
Gjatë këtyre viteve janë arritur disa marrëveshje mes palëve, por zbatimi i tyre ka mbetur i kufizuar. Për këtë arsye, Brukseli e konsideron avancimin në dialog si një nga kushtet kryesore për progresin evropian si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë.