✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

Kurti po e poshtëron Kushtetutën/ Kosova në krizë, paralajmërohen zgjedhje të reja

Thirrja e vazhdimit të seancës konstituive për të shtunën, pas skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ka nxitur reagime nga deputetë të legjislaturës së 11-të.

Ata kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të Kushtetutës dhe për rrezikim të funksionimit institucional të vendit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e cenon Kushtetutën e vendit.

“Albini është sadist. Ky ndjen kënaqësi duke i shkaktuar dhimbje popullit të vet. Ndihet mirë duke e poshtëruar Kushtetutën e shtetit të vet”, ka shkruar ai.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka paralajmëruar se këto veprime mund ta çojnë vendin sërish në zgjedhje.

“Të gjithë deputetët që jeni aty, mbajeni mend mirë këtë ditë. Me heshtjen tuaj, jeni duke e pranuar këtë. Jeni duke e pranuar rrënimin e institucioneve të këtij shteti. Mbajeni mend mirë: po na dërgoni prapë në zgjedhje. Po e përdhosni shtetin. Po e përdhosni Kushtetutën, rendin dhe ligjin. Po luani me një shtet për të cilin është sakrifikuar shumë”, ka shkruar ai.

Sadiku ka thënë se kjo çështje nuk është më vetëm partiake, as çështje pushteti apo opozite, por një çështje shtetërore.

“Mbajeni mend mirë këtë ditë. Sepse kjo ditë do të mbetet e shkruar në karrierën tuaj politike dhe në përgjegjësinë tuaj para qytetarëve. Mandatet kalojnë. Pushteti kalon. Emrat dhe veprat mbesin”.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se seanca për vazhdimin e procesit të konstituimit të këtij institucioni legjislativ është thirrur për të shtunën në orën 11:00 nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputeti më i vjetër i Kuvendit. Kjo seancë do të mbahet përtej afatit kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i cili përfundon pas mesnate.

Procesi i konstituimit është bllokuar për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike për çështjen e presidentit. Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që procesi i konstituimit të mos vazhdojë pa një dakordim për zgjedhjen e presidentit.

Megjithatë, aktualisht ende nuk ka marrëveshje mes subjekteve politike lidhur me këtë çështje.
Pavarësisht takimeve të zhvilluara mes LVV-së dhe LDK-së, të enjten dhe të premten pas ndërprerjes së seancës konstituive, palët nuk kanë arritur dakordim, pasi kanë deklaruar se pika kryesore e mospajtimit mbetet çështja e presidentit.

Advertisement