Politike
“E papranueshme…”/ Berisha i zhgënjyer me deklaratën e Zelenskyt për mosnjohjen e Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, se Ukraina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Berisha e ka cilësuar këtë qëndrim si të papranueshëm, duke argumentuar se ai bie ndesh me qëndrimet e NATO-s, të disa prej vendeve kryesore anëtare të Aleancës dhe me interpretimin e së drejtës ndërkombëtare mbi pavarësinë e Kosovës.
Sipas Berishës, deklarata e Zelenskyt nuk duhet të ndikojë në qëndrimin e shqiptarëve ndaj Ukrainës dhe luftës së saj kundër agresionit rus.
“Ne shprehim keqardhje për deklaratën e presidentit Zelensky në Beograd për pavarësinë e Kosovës”, është shprehur Berisha, duke shtuar se shqiptarët dhe Shqipëria duhet të vijojnë mbështetjen ndaj popullit ukrainas.
Berisha ka theksuar gjithashtu marrëdhëniet miqësore mes shqiptarëve dhe ukrainasve, ndërsa ka kritikuar rolin e Serbisë në raport me Rusinë. Ai nënvizoi se qëndrimi i presidentit ukrainas për Kosovën nuk duhet të ndryshojë qëndrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve ndaj luftës në Ukrainë.