Politike
Berisha sulmon qeverinë: Zjarrfikësit po trajtohen në mënyrë të pashpirt nga qeveria
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se zjarret në vend janë jashtë kontrollit, ndërkohë akuzoi qeverinë për trajtim “cinik dhe të pashpirt” ndaj zjarrfikësve. Duke folur për mediat, lideri i opozitës tha se punonjësit e angazhuar në shuarjen e flakëve nuk kanë marrë ende shtesat e premtuara për vështirësitë dhe rrezikun e punës. Ai kritikoi gjithashtu qeverinë, duke akuzuar Ramën dhe ministrat e tij se ndodhen në plazhe, ndërsa zjarrfikësit përballen me situata të rrezikshme.
“Ndërkohë, zjarret në të katër anët, në tërësi janë jashtë kontrollit. Trajtimi i zjarrfikësve dhe punonjësve të angazhuar në shuarjen e flakëve të zjarrit, është cinik, i pashpirt. Asnjë qindarkë nga premtimet, dhe që i meritojnë, të shtesave për vështirësitë e mëdha përballë zjarrit, atyre gjer sot nuk u është dhënë. Asnjë prapavijë mbështetëse për punën tmerrësisht të vështirë dhe të rrezikshme që bëjnë, nuk kanë. Ndërkohë, Rama dhe ministrat e tij bronzohen në diell, në plazhet më turistike të vendit. Pra, një shtet mafioz pa ligje, që funksionon i tëri në duart e krimit,” tha Berisha.