Politike
Policia ngre njësi për krimet mjedisore/ Lamallari: çdo zjarr do të hetohet, edhe pasi të fiket
Policia e Shtetit do të krijojë një njësi të re me fokus të posaçëm te krimet mjedisore, me synimin për të hetuar më në thellësi rastet e zjarreve dhe veprave të tjera që dëmtojnë mjedisin.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë një takimi me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit në 12 qarqe. Në takim, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkua një qasje më proaktive ndaj zjarreve dhe hetimit të shkaqeve të tyre.
Lamallari theksoi se puna e Policisë nuk duhet të përfundojë me shuarjen e një zjarri, por të vijojë me identifikimin e shkakut dhe autorëve të mundshëm.
“Për Policinë, zjarri nuk përfundon kur fiket. Aty fillon pyetja se pse ndodhi, kush e shkaktoi dhe nëse pas tij fshihet një vepër penale”, deklaroi ministri.
Sipas tij, për hetimin e rasteve të dyshimta do të kërkohet bashkëpunim më i ngushtë me shërbimet zjarrfikëse, Emergjencat Civile, komunitetin dhe Prokurorinë, ndërsa do të përdoren edhe teknologjia dhe ekspertiza forenzike.
Lamallari u ndal edhe te dëmet e shkaktuara nga zjarret, duke theksuar se pasojat në fondin pyjor janë të mëdha dhe se rikuperimi i tij mund të kërkojë vite apo edhe breza.
Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi drejtuesve vendorë të fokusohen në tre komponentë kryesorë: sigurinë publike, sigurinë rrugore dhe sigurinë detare.
Hita kërkoi reagim në kohë si në parandalimin e ngjarjeve, ashtu edhe në ndjekjen e konflikteve dhe problematikave të qytetarëve. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e komunikimit me publikun dhe median, duke kërkuar që qytetarët ta shohin Policinë si një strukturë pranë tyre dhe që përgjigjet ndaj problematikave të jepen në kohë dhe me profesionalizëm.