Bota
SHBA HAP KORRIDORIN SEKRET NË HORMUZ, TANKERËT E NAFTËS NË MBROJTJE TË PLOTË AMERIKANE
Shtetet e Bashkuara kanë ngritur një korridor detar të mbrojtur përmes Ngushticës së Hormuzit, me synimin për të garantuar vijimin e transportit të naftës drejt tregjeve ndërkombëtare, pavarësisht konfliktit me Iranin.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar në raportim, operacioni është zhvilluar prej disa javësh dhe mundëson kalimin e rreth 15 deri në 20 cisternave çdo natë përmes kanalit jugor të ngushticës, pranë brigjeve të Omanit.
Aktualisht, përmes Hormuzit po transportohen rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë, një nivel dukshëm më i ulët se ai para luftës, por që sipas zyrtarëve amerikanë po ndihmon në zbutjen e presionit mbi furnizimet globale dhe çmimet e energjisë.
Operacioni drejtohet nga një task-forcë e ushtrisë amerikane me bazë në Fort Bragg, North Carolina, e cila koordinon lëvizjet e tankerëve me partnerët amerikanë në Gjirin Persik.
Sipas planit operacional, cisternat bosh hyjnë nga Deti Arabik përmes Hormuzit, ngarkohen me naftë në portet e vendeve të Gjirit dhe më pas rikthehen drejt tregjeve ndërkombëtare. Trafiku organizohet në kolona dhe kalon përmes kanalit jugor nën udhëzimet e forcave amerikane.
Për mbrojtjen e korridorit detar përdoren edhe avionë luftarakë amerikanë, me qëllim për të parandaluar sulmet me dronë dhe raketa iraniane.
Zyrtarët amerikanë pretendojnë se një fushatë ushtarake e zhvilluar gjatë dy javëve të fundit ka dëmtuar ndjeshëm sistemet iraniane të radarëve dhe mbikëqyrjes detare, duke reduktuar aftësinë e Iranit për të monitoruar trafikun në kanalin jugor të Hormuzit.
Megjithatë, rreziku mbetet i lartë. Disa cisterna janë goditur nga sulmet iraniane, ndërsa ushtria amerikane thotë se ka interceptuar një pjesë të raketave dhe dronëve të përdorur kundër trafikut detar.
Sipas një zyrtari amerikan, vetëm në fillim të kësaj jave forcat amerikane rrëzuan tetë dronë iranianë dhe dy raketa lundrimi.
Pavarësisht këtyre rreziqeve, transporti i naftës përmes Hormuzit është rritur gjatë dy javëve të fundit. Në disa net, sipas zyrtarëve amerikanë, në të dy drejtimet kanë kaluar deri në 15 deri në 20 cisterna, ndërsa volumi i naftës së transportuar ka arritur në disa raste deri në rreth 15 milionë fuçi.
Presidenti amerikan Donald Trump ka folur për një sasi “të jashtëzakonshme” nafte që po kalon aktualisht përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa ka deklaruar se SHBA-ja nuk është duke negociuar me Iranin në këtë moment.
Ngushtica e Hormuzit është një prej korridoreve më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë. Një ndërprerje e zgjatur e trafikut do të mund të shkaktonte rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe presion të mëtejshëm inflacionist në ekonomitë botërore.
Operacioni amerikan synon pikërisht të mbajë të hapur këtë “arterie energjetike”, duke garantuar që konflikti me Iranin të mos ndërpresë plotësisht furnizimin global me naftë.