Bota
SHBA–IRAN, PËRPLASJA ESHTE NË PRAG
Shtetet e Bashkuara dhe Irani ndodhen sërish në një pikë kritike.
Negociatat kanë ngecur, presioni amerikan po rritet dhe në qendër të përplasjes është kthyer Ngushtica e Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike të energjisë në botë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një fushatë të re dhe shumë të ashpër presioni ekonomik ndaj Teheranit, duke kërcënuar edhe vendet dhe kompanitë që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin. Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës mbeten në ngërç.
Në anën tjetër, Teherani po e përdor Hormuzin si një nga instrumentet kryesore të presionit ndaj Uashingtonit.
Ngushtica është rruga përmes së cilës kalon një pjesë jetike e tregtisë globale të naftës dhe gazit. Por trafiku detar është tkurrur ndjeshëm gjatë krizës. Sipas të dhënave të fundit të gjurmimit të anijeve, vetëm shtatë anije transporti kaluan në Hormuz të enjten, ndërsa nuk u regjistrua kalimi i supertankerëve të mëdhenj të naftës apo i anijeve LNG.
Kjo e bën ngushticën një armë të fuqishme ekonomike dhe strategjike.
Teherani kërkon që presioni amerikan të tërhiqet dhe ka kërkuar kushte për rikthimin e një trafiku normal në Hormuz. Në bisedimet me Omanin është diskutuar edhe mënyra se si do të menaxhohet trafiku detar në të ardhmen, me një rol të rëndësishëm për Iranin në kontrollin e lëvizjeve të anijeve.
Por Uashingtoni nuk pranon një skenar ku Irani të ketë kontroll mbi një prej korridoreve më të rëndësishme të energjisë globale.
Presidenti Trump ka deklaruar madje se Shtetet e Bashkuara mund ta konsiderojnë Hormuzin si territor amerikan, një deklaratë që ka shtuar edhe më tej tensionet.
Ndërkohë, vetë Trump ka thënë se aktualisht nuk ka negociata të planifikuara me Iranin, ndërsa Teherani vazhdon të këmbëngulë se ngushtica mbetet nën kontrollin e tij.
Kjo përplasje ka pasoja shumë përtej Lindjes së Mesme.
Çmimi i naftës është rritur, tregjet financiare po reagojnë ndaj pasigurisë dhe transporti detar po përballet me një situatë të jashtëzakonshme. Vetëm gjatë kësaj jave, çmimi i naftës Brent arriti rreth 94.60 dollarë për fuçi, në një kohë kur pasiguria mbi Hormuzin vazhdon të rëndojë tregjet.
Dhe rreziku më i madh është që kjo situatë të dalë jashtë kontrollit.
Një incident i ri në det, një sulm ndaj një anijeje ose një përshkallëzim ushtarak mund ta rikthejë përplasjen SHBA–Iran në një fazë shumë më të rrezikshme.
Për momentin, dy palët vazhdojnë luftën e presionit.
Washingtoni shton sanksionet dhe kërcënimet ekonomike.
Teherani mban Hormuzin si kartën e tij më të fortë strategjike.
Dhe në mes ndodhet tregu global i energjisë.
Nëse trafiku në Hormuz vazhdon të mbetet i kufizuar, pasojat mund të ndihen në çmimin e karburanteve, inflacionin dhe ekonomitë e vendeve në mbarë botën.
Prandaj pyetja nuk është më vetëm nëse SHBA-ja dhe Irani do të rikthehen në negociata.
Pyetja është nëse do të arrijnë ta zgjidhin krizën para se një incident i vetëm në Hormuz të ndezë përsëri luftën.
SHBA–Iran, përplasja është në prag.
Dhe Hormuzi mbetet pika ku mund të vendoset fati i krizës.