Një tjetër aksident trondit Durrësin, makina del nga rruga, drejtuesja e plagosur në spital
Një aksident rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në rrugën e Vilës së Zogut, në Durrës.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar disa metra më poshtë.
Në drejtim të mjetit ndodhej një vajzë, e cila ka mbetur e plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit.
Aktualisht ajo ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa nuk ka ende të dhëna të plota për gjendjen e saj shëndetësore.
Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Policia ka nisur verifikimet për të përcaktuar se si ka ndodhur ngjarja dhe nëse faktorë të tjerë kanë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjetit.
Një nga pistat që po verifikohet është edhe nëse drejtuesja ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Ngjarja rikthen edhe një herë shqetësimet për sigurinë në këtë aks rrugor.
Rruga e Vilës së Zogut, e cila lidh dy rrugë kryesore të Durrësit, paraqet rrezik veçanërisht gjatë natës, pasi në disa pjesë mungon ndriçimi dhe në njërin krah nuk ka barriera mbrojtëse.
Pritet që ekspertiza dhe hetimet e policisë të zbardhin dinamikën e plotë të aksidentit dhe shkakun që çoi në daljen e automjetit nga rruga.