Aktualitet
Një pacient, disa laboratorë/ A japin të njëjtën përgjigje për të njëjtin gjak?
Një analizë gjaku mund të vendosë nëse një pacient konsiderohet anemik, diabetik, me probleme të tiroides apo me mungesë vitaminash.
Por sa ndryshon rezultati kur i njëjti pacient analizohet në laboratorë të ndryshëm?
Në Shqipëri funksionojnë laboratorë të shumtë privatë dhe publikë. Ata mund të përdorin aparatura, reagentë, metoda dhe intervale reference të ndryshme.
Kjo nuk do të thotë automatikisht se një rezultat ndryshe është rezultat i gabuar.
Por ekziston një kufi shumë i rëndësishëm:
A MUND TË JETË NDRYSHIMI AQ I MADH SA TË NDRYSHOJË INTERPRETIMIN MJEKËSOR?
Pikërisht këtë do të kontrollojmë.
Një grup analizash nga i njëjti person dhe do t’i kryejë në disa laboratorë të ndryshëm, në kushte sa më të njëjta.
Do të krahasohen ndër të tjera:
hemograma, glukoza, kreatinina, ALT, TSH, ferritina dhe vitamina D.
Për secilin laborator do të regjistrohen jo vetëm shifrat e rezultatit.
Do të kontrollohen edhe:
intervali i referencës, njësia matëse, metoda ose aparatura kur deklarohet, çmimi, fatura dhe statusi i akreditimit.
AKREDITIMI NUK ËSHTË THJESHT NJË LOGO
Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit publikon regjistrin e laboratorëve të akredituar në Shqipëri.
Për laboratorët mjekësorë, standardi i referencës është S SH ISO 15189:2022, standard që lidhet me cilësinë dhe kompetencën e laboratorëve mjekësorë.
Në regjistrin publik të DPA-së figurojnë laboratorë mjekësorë të identifikuar posaçërisht me këtë fushë akreditimi.
Sa nga laboratorët ku qytetarët kryejnë çdo ditë analiza janë realisht të akredituar dhe për cilat analiza konkrete?
Sepse edhe akreditimi duhet lexuar saktë.
Një laborator mund të jetë i akredituar, por rëndësi ka edhe fusha konkrete e akreditimit dhe testet që mbulohen prej saj.
TESTI DUHET TË JETË I DREJTË
Metodat laboratorike nuk janë domosdoshmërisht identike.
Edhe intervalet e referencës mund të ndryshojnë.
Prandaj rezultatet do t’i jepen një specialisti të pavarur të mjekësisë laboratorike pa identifikuar fillimisht laboratorët.
Pyetja për ekspertin do të jetë vetëm kjo:
A JANË DIFERENCAT NORMALISHT TË SHPJEGUESHME NGA METODA APO MUND TË NDRYSHOJNË VENDIMIN KLINIK PËR PACIENTIN?
Nëse një laborator jep një rezultat brenda normales dhe një tjetër e nxjerr të njëjtin pacient jashtë normales, atëherë diferenca nuk është më vetëm matematikë.
Ajo mund të ndikojë te diagnoza, trajtimi apo analizat e mëtejshme që i kërkohen pacientit.
Dhe kjo është arsyeja pse kontrolli i cilësisë së laboratorëve nuk është çështje teknike që u intereson vetëm specialistëve.
Është çështje që prek çdo pacient.
LABORATORËT E ANALIZAVE – SA MUND T’I BESOJMË REZULTATIT?
Në pjesën e parë do të krahasojmë rezultatet.
Më pas do të krahasojmë çmimet.
Dhe në fund do të kërkojmë përgjigjen institucionale:
KUSH I KONTROLLON LABORATORËT DHE KUSH GARANTON QË REZULTATI QË MARRIM NË DORË ËSHTË I BESUESHËM?