Politike
PS në “ethe”/ Rama mbledh drejtuesit politikë, ministrat përballë ‘provimit’
Ditët e fundit të gushtit pritet të shoqërohen me një axhendë të ngjeshur politike për Partinë Socialiste, ndërsa kryeministri Edi Rama ka nisur përgatitjet për sesionin e ri politik dhe sfidat e mandatit të katërt qeverisës.
Rama do të zhvillojë një seri takimesh në Pogradec, ku në fokus do të jenë dokumentet e hartuara pas zgjedhjeve, performanca e qeverisë dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Takimi i parë pritet të zhvillohet në vilën qeveritare në orën 11:30, ku do të mblidhen 12 drejtuesit politikë të qarqeve së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste, në qendër të diskutimeve do të jenë dokumenti “Besa” dhe dokumenti tjetër i njohur si “Prania e Besës”, i dorëzuar grupit parlamentar socialist në fund të korrikut.
Nga takimi pritet që Rama të marrë reflektimet e drejtuesve socialistë mbi këto dy dokumente, me synimin për t’i pasuruar dhe për t’i çuar drejt një dokumenti final. Paralelisht, në diskutime pritet të jenë edhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Axhenda do të vijojë edhe në mbrëmje me një darkë ku do të marrin pjesë Rama, drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat. Takimi pritet të shërbejë edhe për koordinimin e mëtejshëm të socialistëve përpara nisjes së sesionit të ri politik.
Ndërkohë, dita e hënë pritet të jetë momenti i rëndësishëm për ministrat. Në Pogradec do të zhvillohet një “retreat” i qeverisë, ku ministrat do të raportojnë për performancën e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Ndryshe nga mbledhjet e mëparshme të këtij formati, këtë herë nuk pritet të marrin pjesë zëvendësministrat. Në fokus do të jenë ministrat dhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.
Përveç rezultateve të punës, ministrat pritet të raportojnë edhe për prezencën e tyre mediatike dhe aktivitetin në rrjetet sociale, një element që ka qenë pjesë e vlerësimit të qeverisë edhe në takimet e mëparshme.
Por axhenda e Ramës nuk përfundon me takimet e Pogradecit. Në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.
Mbledhjet e mëparshme të Asamblesë janë përdorur nga Rama edhe për të prezantuar ndryshime në kabinetin qeveritar, çka e bën këtë takim një tjetër pikë të rëndësishme për socialistët në nisje të sesionit të ri politik.