Aktualitet
Zjarret “pushtojnë” vendin, 32 vatra në 24 orë/ Ja zonat më problematike
Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të mbetet shqetësuese, me 32 vatra të raportuara në 24 orët e fundit, 11 prej të cilave janë ende aktive.
Vatrat më problematike janë evidentuar në malin e Dajtit, Bardhaj të Shkodrës dhe në zonën e Fierit, ku vijojnë operacionet për shuarjen dhe izolimin e flakëve. Në terren janë angazhuar qindra forca vendore dhe të Forcave të Armatosura, të mbështetura nga dhjetëra automjete zjarrfikëse, helikopterë dhe avionë për ndërhyrje nga ajri.
Ndërkohë, zjarri në Himarë është shuar pas një mobilizimi të gjerë të strukturave të emergjencave dhe forcave të sigurisë.
Autoritetet bëjnë me dije se operacionet vijojnë me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë dhe mjedisit
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes – informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë fikur.
Për përballimin e situatës është realizuar një angazhim i gjerë operacional në nivel kombëtar, me 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor. Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku ndërhyrja vijon.
Angazhimi kryesor është përqendruar në vatrat më problematike.
Në Malin e Dajtit, krahas strukturave bashkiake, sot janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter.
Në Bardhaj të Shkodrës, janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat e emergjencave civile, si dhe mbështetje nga FA me 1 automjet zjarrfikës dhe 1 helikopter, ndërsa sot operacionit i shtohen 33 forca dhe 1 ambulancë.
Në Fier, janë përfshirë 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca të tjera, si dhe 90 ushtarakë, 1 helikopter dhe 1 Air Tractor. Sot vijon mbështetja me 33 forca.
Operacioni në Himarë është përmbyllur me fikjen e zjarrit, pas një mobilizimi të gjerë me 26 automjete zjarrfikëse, 120 efektivë, 40 vullnetarë, 67 forca bashkiake, 20 forca policore dhe 180 efektivë të FA me 2 helikopterë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.