Rajon
Lë presidencën para zgjedhjeve/ Vuçiç zbulon kur do japë dorëheqjen
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se do të largohet nga posti më 25 ose 26 shtator, pak ditë pas pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Vuçiç tha se vendimi për dorëheqjen është zgjedhje personale dhe nuk lidhet me ndonjë detyrim ligjor. Sipas tij, ai nuk dëshiron të zhvillojë fushatën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në cilësinë e presidentit, por si “qytetar i zakonshëm”.
Ai deklaroi se gjatë muajit të fundit të fushatës planifikon të udhëtojë nëpër Serbi për t’u takuar me qytetarët, duke thënë se do të përdorë automjetin e tij dhe një kamionçinë të marrë me qira.
Njoftimi vjen disa ditë pasi Vuçiç shpërndau Kuvendin e Serbisë dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për 25 tetor. Partia Progresive Serbe e ka propozuar atë si kandidat për kryeministër dhe bartës të listës zgjedhore, duke i dhënë rol drejtues në fushatën elektorale.
Prej muajsh, Serbia është përballur me protesta të studentëve dhe opozitës, të cilët kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe përgjegjësi politike pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Vuçiç ka deklaruar në të kaluarën se mund të largohej nga posti i presidentit përpara përfundimit të mandatit, i cili përfundon në vitin 2027, por deri tani nuk kishte përcaktuar një datë konkrete.
Nëse e zbaton njoftimin e bërë, Vuçiç do të largohet nga presidenca rreth një muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe do të përfshihet drejtpërdrejt në garën politike për postin e kryeministrit.