Thinking ...
Connect with us

Rajon

U arratis “para syve” të policisë greke/ Zbulohet fotoja e shqiptarit

Një foto e Gentian Çipit, shqiptarit që u arratis nga Spitali i Serres në Greqi, është bërë publike pas arratisjes së tij, e cila dyshohet se është realizuar me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve.

Sipas raportimeve të mediave greke, Çipi, i cili ndodhej i burgosur, pak pas orës 23:00 ka deklaruar se nuk ndihej mirë dhe është transferuar në spital për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore. Në ambientet e spitalit dyshohet se e prisnin persona të tjerë, të cilët ishin veshur si punonjës policie. Ata dyshohet se përdorën edhe një automjet bujqësor të pajisur me ndriçim, me qëllim që të ngjante me një makinë të forcave speciale të policisë greke.

Transferimi i 40-vjeçarit është kryer nga rojet e burgut, ndërsa sipas burimeve të cituara nga mediat greke, nuk ishte kërkuar mbështetja e Policisë Greke për shoqërimin e tij. Gjatë ndërhyrjes, autorët dyshohet se i kanë marrë armën njërit prej rojeve dhe më pas kanë larguar Çipin nga spitali.

Autoritetet greke kanë gjetur një prej dy automjeteve që dyshohet se janë përdorur gjatë arratisjes. Automjeti është gjetur i përplasur në një rrugë pranë spitalit, ndërsa brenda tij janë sekuestruar një kallashnikov dhe municion.

Gentian Çipi, me origjinë nga Korça, rezulton me precedentë penalë si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi. Në Shqipëri, ai është dënuar në korrik 2024 me dy vite burg për “shkatërrim të pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese. Çipi ishte akuzuar për djegien e një automjeti në prill 2023 në Korçë.

Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, ai ishte proceduar pasi policia kishte konstatuar kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme pranë banesës së tij.

Në shtator 2024, sipas autoriteteve greke, Çipi dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj një 25-vjeçari në zonën e Pylaia-s në Selanik. I riu u plagos me tre plumba, por i mbijetoi sulmit, ndërsa autori dyshohet se u largua nga vendngjarja.

Pas hetimeve, policia greke e identifikoi Çipin dhe në shtator 2025 zhvilloi një operacion për arrestimin e tij. Në kuadër të operacionit u arrestuan edhe Enea Basholli, 31 vjeç, dhe Kleo Topa, 24 vjeç, të dy nga Korça.

Sipas Policisë Greke, Çipi dyshohet se drejtonte një grup kriminal të përfshirë në trafik droge dhe veprime të dhunshme. Gjatë operacionit për arrestimin e tij dhe Topës në Selanik, të dy dyshohet se nuk iu bindën urdhrave të policisë dhe u larguan me automjet, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke përplasur një makinë policie. Pas braktisjes së automjetit, ata u arrestuan në këmbë.

Pak orë më vonë, në Halkidiki u arrestua edhe Enea Basholli. Gjatë kontrolleve, autoritetet greke raportuan sekuestrimin e një kallashnikovi me 30 fishekë, tre pistoletave, një silenciatori, rreth 31 kilogramë marihuanë, një pasaporte dhe një patente të dyshuara si të falsifikuara, si dhe 23 mijë e 350 eurove, celularëve dhe tre automjeteve.

Hetimet në Greqi vijojnë për të zbardhur mënyrën e organizimit të arratisjes dhe identitetin e personave që dyshohet se kanë ndihmuar Çipin të largohej nga spitali.

Advertisement