Rajon
2 milionë euro, drogë dhe bizhuteri, përfundon në pranga “i forti” i Lushnjës
Detaje të reja janë bërë publike nga operacioni i policisë greke në Athinë, ku dy ditë më parë u arrestua Lulëzim Caka, i njohur ndryshe si “Lul Caka”, një emër i njohur i kronikës së zezë shqiptare të viteve ’90.
Sipas informacioneve të bëra publike, gjatë kontrollit në banesën e tij në kryeqytetin grek, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 2 milionë euro cash, lëndë narkotike dhe bizhuteri me vlerë të lartë.
Caka është i njohur për aktivitetin e tij kriminal të lidhur me zonën Berat-Fier-Lushnjë gjatë periudhës së trazirave të vitit 1997. Në Shqipëri ai është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Pëllumb Eminit në Lushnjë, në korrik 1997, si dhe për një ngjarje të marsit 1998, ku u qëlluan me armë dy drejtues policie, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi.
Caka ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në sulmin ndaj forcave të rendit, ndërsa vendimet gjyqësore shqiptare kanë lënë në fuqi dënimin ndaj tij.
Arrestimi në Greqi dhe sekuestrimi i shumës së konsiderueshme të parave, së bashku me sendet e tjera, pritet të sjellin verifikime të mëtejshme nga autoritetet greke dhe shqiptare. Ndërkohë, mundësia e procedurave të reja lidhur me ekstradimin e tij drejt Shqipërisë mbetet një prej çështjeve që mund të shqyrtohet nga autoritetet.