Sport
Zilja e fundit/ Conte troket në derën e Zonjës së Vjetër, Spalleti varet në fije të perit
Humbja ndaj Sassuolos ka ndezur sërish alarmin në Torino dhe ka rikthyer në skenë një emër të njohur për tifozët e Juventusit: Antonio Conte.
Rezultatet e fundit kanë shtuar presionin mbi Luciano Spallettin, ndërsa një pjesë e tifozërisë bardhezi po kërkon rikthimin e trajnerit që e ka drejtuar më parë klubin. Megjithatë, për momentin nuk bëhet fjalë për një shkarkim të vendosur.
Drejtuesit e Juventusit vazhdojnë ta mbështesin publikisht Spallettin. Edhe Giovanni Carnevali ka kërkuar durim, duke e cilësuar trajnerin italian ndër më të mirët dhe duke theksuar se ndryshimi i trajnerit nuk është në filozofinë e tij.
Por situata kërkon një reagim të menjëhershëm.
Sfida e së enjtes në Europa League ndaj NEC Nijmegen shihet si një mundësi për Juventusin që të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të qetësojë atmosferën. Një tjetër hap fals, megjithatë, do ta rëndonte ndjeshëm pozitën e Spallettit.
Në Torino e dinë se ajo që sot është vetëm dëshira e një pjese të tifozëve, nesër mund të shndërrohet në një opsion real për klubin.
Juventusi nuk e ka traditë ndryshimin e trajnerit në mes të sezonit, ndërsa edhe vetë Conte zakonisht nuk ka preferuar të marrë drejtimin e një skuadre pasi kampionati ka nisur. Por situata mund të ndryshojë nëse rezultatet negative vazhdojnë.
Dy ndeshjet e ardhshme, përpara pauzës së kombëtareve, mund të jenë vendimtare për të ardhmen e Spallettit.
Nëse Juventusi nuk reagon, shkarkimi mund të kthehet në një skenar konkret dhe Antonio Conte do të ishte një nga emrat kryesorë në tavolinën e drejtuesve.
Për momentin, Spalletti mbetet në pankinë. Por pas humbjes me Sassuolon, hija e Contes është rikthyer fuqishëm mbi Juventusin.