Rajon
Vdekja e Mazonakis/ Zbulohen fotot dhe videoja e fshirë nga telefoni i mjekes
Detaje të reja po dalin nga hetimi për vdekjen e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis, ndërsa hetuesit po analizojnë provat digjitale të rikuperuara nga telefoni i mjekes Ioanna Gaka.
Sipas ekspertizës së Drejtorisë së Hetimeve Kriminalistike, në telefonin e mjekes janë gjetur dy fotografi dhe një video e fshirë, të krijuara më 9 shtator, brenda një intervali prej pak minutash.
Fotografia e parë është shkrepur në orën 14:43:36, është krijuar si skedar në 14:44:19 dhe rezulton e fshirë në orën 19:09:09. Në të shfaqet Mazonakis i shtrirë në një shtrat klinik, me bluzë të verdhë dhe batanije nga mesi e poshtë. Ai shihet me sytë e mbyllur, ndërsa në duar ka kateterë intravenozë dhe pranë tij ndodhet aparatura e plazmaferezës.
Një fotografi e dytë është shkrepur në orën 14:45:22, në një moment kur, sipas hetuesve, kishte nisur procedura e plazmaferezës. Edhe kjo fotografi është fshirë në orën 19:09:13.
Mes dy fotografive, në orën 14:43:55, është krijuar edhe një video, e cila më pas është fshirë në të njëjtën orë me fotografinë e dytë.
Ekspertët kanë identifikuar gjithashtu gjurmë digjitale që tregojnë se fotografia e parë është shpërndarë nga telefoni i mjekes drejt një marrësi. Identiteti i marrësit nuk është përcaktuar ende. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë nëse bëhet fjalë për bashkëshortin e mjekes, Ilias Theodoropoulos, por kjo mbetet për t’u verifikuar.
Për përcaktimin e marrësit dhe mënyrës së dërgimit pritet të kërkohet akses në të dhënat telefonike. Hetimi synon të përcaktojë aplikacionin e përdorur, nëse fotografia është shoqëruar me mesazhe dhe nëse materiali është përcjellë më tej.
Në kuadër të hetimit po analizohen edhe telefonat e tre punonjësve të klinikës, me fokus te komunikimet, telefonatat dhe materialet audiovizive të regjistruara gjatë orëve kritike. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse ka pasur komunikime mes tyre dhe dy mjekëve pas incidentit. Të dhënat pritet të krahasohen me informacionin e nxjerrë nga telefoni i Gakës dhe kompjuteri i klinikës.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit janë analizat toksikologjike. Rezultatet pritet të ndihmojnë në përcaktimin nëse janë përdorur substanca të kategorisë që po shqyrtohet nga autoritetet dhe nëse, në një situatë të tillë, procedura mjekësore kërkonte praninë e specialistëve të tjerë, përfshirë kardiologun dhe anesteziologun.
Mjekja Ioanna Gaka, e cila së bashku me Ilias Theodoropoulos po përballet me akuzën për vrasje me dashje, ka dhënë dëshmi për rreth tetë orë. Sipas informacioneve të raportuara, ajo ka mohuar çdo veprim të paligjshëm.
Pas marrjes së dëshmive dhe analizimit të provave, hetuesi dhe prokurori pritet të vendosin për masën e mëtejshme të sigurisë ndaj saj.
