Rajon
Vuçiç i zemëruar me vendimin e Hagës: Nuk janë dënuar për krime kundër njerëzimit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan në total me 81 vite burg.
Në një deklaratë për mediat, Vuçiç tha se Serbia duhet të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe të përballet me të kaluarën përmes dialogut. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi vendimin e Gjykatës Speciale, duke pretenduar se ai nuk ka reflektuar në mënyrën e duhur çështjen e krimeve të pretenduara ndaj serbëve.
“E gjithë kjo nuk u mor parasysh”, tha Vuçiç, duke iu referuar gjashtë akuzave për krime kundër njerëzimit, për të cilat të pandehurit nuk u shpallën fajtorë.
Gjykata dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burg, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite, për vepra të cilësuara si krime lufte. Në të njëjtin vendim, trupi gjykues arriti në përfundimin se prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi sistematik ose të përhapur ndaj popullsisë civile, që do të përmbushte kriteret për krime kundër njerëzimit.
Vuçiç tha se Beogradi nuk duhet të reagojë me eufori apo dëshpërim ndaj vendimit, ndërsa theksoi nevojën për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Ne nuk kemi arsye të jemi të lumtur ose të trishtuar”, deklaroi presidenti serb.
Vendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë.