Rajon
Von der Leyen lë jashtë Serbinë dhe Bosnjën, zbardhet axhenda
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë turneut të saj të radhës në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk janë përfshirë në këtë axhendë.
Sipas Komisionit Evropian, vizita do të zhvillohet nga 30 shtatori deri më 2 tetor. Von der Leyen pritet të takohet me presidentët dhe kryeministrat e katër vendeve, si dhe të vizitojë projekte të financuara nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta, ka bërë të ditur se Serbia dhe Bosnje e Hercegovina pritet të vizitohen në një moment të mëvonshëm. Sipas saj, axhenda lidhet edhe me zhvillimet zgjedhore në këto dy vende.
Mungesa e Beogradit nga turneu vjen në një periudhë të tensionuar politike në Serbi. Më herët, disa eurodeputetë i kishin bërë thirrje von der Leyenit të mos vizitonte vendin, ndërsa zhvillimet e fundit kanë nxitur diskutime në institucionet evropiane.
Ky do të jetë turneu i gjashtë i von der Leyen në Ballkanin Perëndimor. Vizita zhvillohet në prag të paketës vjetore të raporteve të progresit për vendet e rajonit dhe në fokus pritet të jenë integrimi evropian, reformat dhe zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.