Aktualitet
48 ORË QË NGREJNË DYSHIME/ Agasi hap kompaninë, Rama propozon Hysenin në krye të SHISH
Një datë e përbashkët lidh në mënyrë kronologjike biznesmenin Ergys Agasi me ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, të dy tashmë pjesë e një hetimi të SPAK-ut.
Më 15 mars 2023, Agasi themeloi kompaninë e IT-së EA Solution, me kapital fillestar prej vetëm 1 mijë lekësh dhe me aktivitet në fushën e software-ve, rrjeteve, telekomunikacionit, sigurisë dhe sistemeve GIS.
Vetëm 48 orë më vonë, më 17 mars, kryeministri Edi Rama njoftoi publikisht propozimin e Vlora Hysenit për drejtimin e SHISH-it. Emërimi u dekretua nga presidenti Bajram Begaj më 3 prill.
Koincidenca e datave merr rëndësi në dritën e hetimit aktual të SPAK-ut, ku Hyseni dhe Agasi janë përfshirë në të njëjtën dosje hetimore. Hyseni dyshohet për nxjerrje të informacionit sekret dhe përkrahje të Agasit, ndërsa ky i fundit është nën hetim për çështjen e tenderave të AKSHI-t.
EA Solution, e krijuar në mars 2023, u shndërrua shumë shpejt në një kompani me të ardhura të konsiderueshme. Vetëm në vitin e parë ajo deklaroi rreth 242 milionë lekë të ardhura dhe mbi 232 milionë lekë fitim para tatimit.
Sipas materialeve të hetimit, kompania më pas përfitoi pagesa të konsiderueshme nga kompani të përfshira në kontrata publike të teknologjisë së informacionit. Hetuesit dyshojnë se një pjesë e këtyre pagesave mund të lidhet me ndikimin e Agasit në sistemin e tenderave.
Ndërkohë, mbetet për t’u sqaruar se kur është vendosur kandidatura e Hysenit për drejtimin e SHISH-it dhe nëse ka pasur ndonjë lidhje mes saj dhe aktivitetit të Agasit. Vetë përputhja e datave, në këtë fazë, përbën një element kronologjik të hetimit dhe jo provë të një marrëdhënieje kriminale mes tyre.
https://shqiptarja.com/lajm/kompania-e-agasit-qe-do-te-thithte-fondet-e-akshit-u-themelua-48-ore-para-emerimit-te-hysenit-ne-krye-te-shish?r=kh1