Aktualitet
BOMBA e Ilir Kullës: Ajo që paguhej të dinte çdo gjë, nuk dinte që do arrestohej vetë
Analisti Ilir Kulla ka komentuar zhvillimet rreth ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pas hetimeve të SPAK-ut.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kulla është ndalur te fakti që Hyseni, e cila drejtonte institucionin përgjegjës për mbledhjen dhe analizimin e informacionit të sigurisë, nuk kishte dijeni për masën që po përgatitej ndaj saj.
“Gjëja më e rëndë në këtë çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH nuk janë akuzat ndaj saj, por fakti që ajo që paguhej për të ditur çdo gjë, nuk dinte që po arrestohej vetë!”, shkruan Kulla.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme u mor ndërsa Hyseni ndodhej jashtë Shqipërisë, pasi kishte marrë pjesë në një konferencë në Azerbajxhan.
Pas largimit nga Azerbajxhani, ajo udhëtoi drejt Kosovës dhe më pas iu dorëzua autoriteteve shqiptare në pikën kufitare të Vërmicës.
Hyseni po hetohet nga SPAK për dy vepra penale, ndërsa ndaj saj është vendosur edhe pezullimi i ushtrimit të detyrës. Ajo vijon të gëzojë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.