Aktualitet
25-vjeçari majtist që ka futur në konflikt Itali, Hungari, Gjermani e Francë/ Pse akuzohet shqiptari?
Rexhino Abazaj, i njohur si “Gino”, një shtetas shqiptar i rritur në Itali dhe aktivist antifashist, ndodhet në qendër të një beteje të re juridike në Francë. Më 30 shtator, Gjykata e Kasacionit në Francë pritet të shqyrtojë rekursin e tij kundër vendimit për dorëzimin e tij te autoritetet gjermane.
Abazaj është i dyshuar nga autoritetet për përfshirje në episode dhune gjatë përplasjeve në Budapest në shkurt të vitit 2023, në kuadër të një aktiviteti ku ishin mbledhur militantë të ekstremit të djathtë. Për të njëjtat ngjarje, ai është kërkuar më herët nga Hungaria.
Në prill të vitit 2025, drejtësia franceze refuzoi dorëzimin e Abazajt drejt Hungarisë, duke ngritur shqetësime lidhur me kushtet e paraburgimit dhe garancitë për një proces të drejtë.
Por çështja mori një tjetër drejtim pasi Gjermania lëshoi një mandat të ri evropian për Abazajn. Më 19 gusht 2026, Gjykata e Apelit në Paris vendosi që ai t’u dorëzohet autoriteteve gjermane. Avokati i tij, Youri Krassoulia, njoftoi menjëherë se do ta kundërshtonte vendimin në Gjykatën e Kasacionit.
Sipas raportimeve franceze, Gjermania kërkon ta gjykojë Abazajn për të njëjtat ngjarje të vitit 2023, pasi disa nga personat e përfshirë në përplasjet në Budapest janë shtetas gjermanë. Në Gjermani, ai mund të përballet me një dënim deri në 10 vite burg, ndërsa në Hungari akuzat lidhen me një dënim potencialisht më të lartë.
Avokatët e Abazajt kanë ngritur gjithashtu shqetësimin se dorëzimi i tij në Gjermani mund të pasohet nga një kërkesë tjetër për transferimin e tij në Hungari. Kjo pikë është bërë pjesë e argumentimit të mbrojtjes, ndërsa vendimi përfundimtar në Francë ende nuk është dhënë.
Rasti i Abazajt është ndjekur prej vitesh në disa vende evropiane. Ai u rrit në Itali pasi shkoi atje me familjen në moshë të vogël dhe më pas jetoi edhe në Finlandë. Në vitin 2023, emri i tij u lidh me përplasjet në Budapest, ku mes personave të akuzuar ndodhej edhe aktivistja italiane dhe eurodeputetja Ilaria Salis.
Tashmë beteja ligjore zhvendoset në Gjykatën e Kasacionit në Francë. Më 30 shtator pritet të shqyrtohet nëse vendimi për dorëzimin e Rexhino “Gino” Abazajt në Gjermani do të mbetet në fuqi apo do të ndryshohet. Ndërkohë, grupet mbështetëse të tij kanë paralajmëruar mobilizim publik në Francë në ditën e shqyrtimit të çështjes.