Kronike
POLICIA OPERACION BLIC NË TIRANË DHE KRUJË
Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës dhe ajo e Krujës gjatë dy operacioneve të zhvilluara brenda 24 orëve, në kuadër të kontrolleve kundër posedimit të paligjshëm të armëve.
Sipas njoftimit të policisë, në banesat e dy të arrestuarve janë sekuestruar 3 armë zjarri, municion luftarak, 17 kapsolla elektrike, një shënjestër optike, dy mjete prerëse dhe një peshore elektronike.
Operacioni i parë, i koduar “Qëllimi”, u zhvillua në Tiranë nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Në pranga ka rënë A. Z., 36 vjeç, i cili, sipas policisë, ka precedent penal.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën një pistoletë, një armë automatike, municion luftarak, një shënjestër optike, dy mjete prerëse dhe një peshore elektronike.
Operacioni i dytë, i koduar “Kontrolli”, u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua F. L., 28 vjeç. Sipas policisë, gjatë kontrollit të banesës së tij në fshatin Brret u gjetën një armë gjahu, 84 fishekë dhe 17 kapsolla elektrike, të cilat dyshohet se posedoheshin pa leje.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar nëse dy personat e arrestuar janë të përfshirë edhe në veprimtari të tjera kriminale.