Aktualitet
“Mbi vajzat e mia janë qëlluar plumba”/ Klodiana Lala shokon me deklaratën
Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar sërish lidhur me deklaratën e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, të bërë teksa kjo e fundit po i drejtohej GJKKO-së.
Lala i ka cilësuar të pabazuara akuzat e Hysenit dhe ka deklaruar se i sheh ato si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj saj dhe ndaj gazetarëve që raportojnë mbi hetimet dhe çështjet që lidhen me ish-drejtoren e SHISH.
Gazetarja tha se deklarata e Hysenit e ka prekur në aspektin personal, por nuk do të ndikojë në punën e saj. Ajo theksoi se do të vijojë raportimin mbi dosjen dhe hetimet, ndërsa bëri të ditur se po ndjek edhe rrugën ligjore lidhur me deklaratat e bëra ndaj saj.
“Përbuz me neveri çdo akuzë. Mu duk si përpjekje e dëshpëruar e zonjës për të më kërcënuar për shkak të detyrës që unë bëj”, u shpreh Lala, duke shtuar se ajo dhe News24 do të vijojnë të raportojnë me profesionalizëm dhe integritet.
Lala deklaroi gjithashtu se, në bashkëpunim me avokatin Dorjan Matlija, po përgatit materialin që synon t’ia përcjellë SPAK-ut. Sipas saj, kallëzimi do të lidhet me deklaratat që ajo i konsideron kërcënuese.
“Përbuz me neveri çdo akuzë. Mu duk si përpjekje e dëshpëruar e zonjës për të më kërcënuar për shkak të detyrës që unë bëj, por që nuk ia doli dot mbanë sepse unë dhe Neës24 kemi dëshmuar se edhe në momente të vështira raportojmë me profesionalizëm, paanësi dhe integritet. Zonja duhet të kërkojë falje publike, është në nderin e saj, në nderin e institucionit që ka drejtuar dhe në nderin e një gruaja qe nëse edhe mund të rrisë fëmijë.
Si nënë u lëndova, si gazetare nuk më shqetëson aspak sepse jo Vlora Hyseni, por askush nuk më kërcënon dhe nuk më shantazhon në detyrën time dhe këtë e kam dëshmuar në më shumë se 23 vite punë edhe kur mbi familjen time, mbi vajzat e mia janë qëlluar plumba dhe kanë vënë në rrezik jetën e tyre. Do të vazhdoj të merrem me dosjen dhe aferat e zonjës Hyseni. Është dosja më tronditëse dhe kjo ka tronditur jo vetëm zonjën Hyseni.
Kam folur me avokatin Dorjan Matlija për të bërë gati materialin dhe për t’ia dërguar SPAK-ut. Askush nuk mund të më njollosë emrin. Zonjën nuk e nxjerr dot unë nga gjirizi ku është futur, hesapet i ka me drejtësinë dhe jo me median. E pashë si mesazh që i adresohej gjithkujt dhe çdo njeriu që mund të flasë kundër zonjës Hyseni. Ishte një përpjekje e saj e dëshpëruar për të thënë se kam në duar sekrete dhe mund t’ju shantazhoj. Ka kryer një vepër të rëndë penale në dyert e SPAK dhe GJKKO”, tha ajo.