Kronike
Nuk iu bind policisë dhe përplasi 4 makina/ Vihet ne pranga 30 vjeçari
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë arrestuar një 30-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 23:00, në rrugën “Pavarësia”, gjatë patrullimit të shërbimeve të Policisë. Punonjësit e policisë kanë konstatuar një automjet pa targa dhe me xhama të errësuar, drejtuesi i të cilit, sipas policisë, kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Pas sinjalizimit për ndalim, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë dhe ka vijuar lëvizjen. Gjatë ndjekjes, automjeti ka përplasur katër automjete të tjera.
Pas braktisjes së automjetit, drejtuesi ka tentuar të largohet në këmbë, por është kapur nga shërbimet e policisë.
Nga verifikimet e kryera është konstatuar se personi i ndaluar, me inicialet M. K., 30 vjeç, ishte shpallur më herët në kërkim për veprën penale të vjedhjes. Gjithashtu, sipas të dhënave të policisë, automjeti me të cilin ai po lëvizte rezultonte i vjedhur një ditë më parë në Tepelenë.
Në përfundim të veprimeve të para, ndaj 30-vjeçarit është bërë arrestimi në flagrancë, për veprat penale të “Vjedhjes”, “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Personi i arrestuar prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.