✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Zbardhet plagosja me armë te “Zogu i Zi”, pesë persona të përfshirë në dy konflikte

Rreth 24 orë pas të shtënave me armë që tronditën zonën e “Zogut të Zi” në Tiranë, në rrugën “Hysni Gërbolli”, policia ka vijuar hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, është identifikuar autori i dyshuar për plagosjen me armë të një 33-vjeçari nga Kosova, ndërsa ai është shpallur në kërkim.

Ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti të çastit në një lokal. Sipas policisë, shtetasi S. P., 54 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur në këmbë 33-vjeçarin Gjenk Karabegu, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes.

54-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.

Arrestohet 20-vjeçari, procedohen dy persona të tjerë

Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar edhe 20-vjeçarin Samuel Tahiraj, i njohur në rrjetet sociale me emrin artistik “Leumasi”.

Sipas Policisë së Tiranës, 20-vjeçari ishte i përfshirë në një tjetër konflikt të lidhur me ngjarjen. Gjatë përleshjes, ai dyshohet se është konfliktuar me disa persona dhe ka mbetur i dëmtuar, ndërsa një 18-vjeçar, A. P., është plagosur me sende të forta.

Në përfundim të veprimeve procedurale, Tahiraj është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.

Ndërkohë, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç. Ata dyshohet se gjatë konfliktit kanë goditur me sende të forta 20-vjeçarin.

Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar disa fishekë.

33-vjeçari rezulton në kërkim nga autoritetet e Kosovës

I plagosuri me armë, Gjenk Karabegu, rezulton gjithashtu person në kërkim nga autoritetet e Kosovës.

Sipas të dhënave të policisë shqiptare, 33-vjeçari është arrestuar me qëllim ekstradimi, pasi rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burgim për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, identifikimin e përgjegjësive individuale dhe lokalizimin e 54-vjeçarit të shpallur në kërkim.

Advertisement