Politike
Analizon Edi Ramën në Rinas: Tregoi se është i fortë kur të tjerët e mendonin të dobët
Gazetarja Fatjona Mejdini komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama nga Rinasi, pas kthimit të tij nga SHBA-ja, duke u shprehur se, përmes saj, Rama zgjodhi të tregojë se është i fortë dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga rruga e tij.
“Rama vinte nga SHBA-ja, kishte zgjedhur aeroportin, dukej si një lloj urgjence për atë konferencë, dukej sikur një njoftim i madh do të vinte nga aty. U mendua për ndonjë gjë të madhe, të tipit dorëheqje. Ishin shumë spekulime normale, pasi kryeministri Rama ka një situatë të rënduar nga protestat që prej katër muajsh dhe, nga ana tjetër, skandalet e njëpasnjëshme që dalin nga hetimet e SPAK-ut.
Por Edi Rama bëri atë që të tjerët nuk e prisnin, ose e prisnin më pak. Tregoi që unë jam i fortë në momentin kur ju mendoni se jam më i dobët. Ajo që bëri aty në aeroport ishte tregimi i një lloj force. Ai tha se nuk ka burrë nënë ta akuzojë për çështje korrupsioni. Tregoi një qëndrueshmëri dhe theksoi se nuk do të lëvizte nga vendi i tij, pavarësisht nga çdo lloj gjëje që do të vinte. Kryeministri nuk ka ndërmend të lëvizë nga kjo rrugë. Shqipëria do të ketë testin e saj në zgjedhjet lokale të vitit 2027”, tha ajo për “Review”.
Mesazhin e paralajmëruar për t’ua adresuar qytetarëve shqiptarëve nga Rinasi pas kthimit nga SHBA, Edi Rama e nisi me arrestimin drejtueses së SHISH Vlora Hyseni.
Sipas tij kjo ngjarje “i ka lënë pa fjalë edhe partnerët ndërkombëtarë”, duke patur parasysh se SHISH është një institucion kyç i shtetit.
“Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë. Ishte një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e në institucioni kyç të shtetit. Nuk kam qëllim të hyj në vlerësimin e dosjes apo arsyen që kanë çuar prokurorinë ta kërkojë dhe gjykatës ta vendosë atë masë. Nuk e kam bërë në asnjë rast. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm.”, u shpreh kreu i qeverisë.