Aktualitet
SKANDALI NE SHISH, PRESIDENTI BEGAJ MBLEDH KESHILLIN E SIGURISE
Krerët e shtetit dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të sigurisë do të mblidhen sot, në orën 08:30, në Pallatin e Brigadave. Presidenti Bajram Begaj ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, nën akuzën se ndihmoi me informacione sekrete Ergys Agasin gjatë arratisë. Në fokus të diskutimeve pritet të jenë situata e sigurisë kombëtare dhe siguria e informacionit të klasifikuar.
Ligji përcakton qartë se cilët janë anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili përbëhet nga titullarët e 13 institucioneve dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës. Në mbledhje do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili mbërriti dje në Shqipëri pas vizitës 6-ditore në SHBA dhe dha mesazhin e parë drejtuar shqiptarëve pasi Hyseni u vu nën akuzë.
Rama e bëri të qartë se Hyseni do ta ketë e vetme përballjen me drejtësinë, por e cilësoi masën ndaj saj ekstreme, duke argumentuar se SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh që, sipas tij duhej të ishte parandaluar. Kryeministri theksoi se një hetim penal ndaj drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror nuk është vetëm çështje e drejtësisë, pasi mund të prekë edhe sigurinë kombëtare dhe interesat e shtetit. Për këtë arsye, Rama tha se në Këshillin e Sigurisë Kombëtare duhet të diskutohet se çfarë garancish nevojiten për të mbrojtur institucionet e sigurisë dhe informacionin e klasifikuar kur drejtuesit e tyre bëhen subjekt i hetimeve penale.
Në mbledhje do të marrë pjesë edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila, i cili do ta drejtojë institucionin deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri. Rama ka deklaruar se për emrin e ri në krye të SHISH-it do të vendoset në konsultim me Presidentin.