Politike
Ambasadori i ri i SHBA takon Ferit Hoxhën, SHBA-Shqipëri, mesazh i fortë
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka zhvilluar një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pas takimit të tij me kryeministrin Edi Rama.
Takimi u fokusua te marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, me theks te forcimi i partneritetit strategjik, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, si dhe zgjerimi i mundësive për ekonomi dhe investime.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Hoxha e cilësoi një kënaqësi të veçantë pritjen e ambasadorit Wendt në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten një prej partnerëve strategjikë më të afërt të Shqipërisë, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve, sipas tij, mbështeten në vlera të përbashkëta demokratike, bashkëpunimin në NATO dhe lidhjet historike mes dy popujve.
Hoxha deklaroi se Shqipëria synon të thellojë bashkëpunimin me SHBA-të në disa fusha, përfshirë investimet dhe ekonominë, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe koordinimin për çështjet dhe sfidat ndërkombëtare.
Në takim u prek edhe objektivi i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas ministrit Hoxha, integrimi në BE dhe ruajtja e një partneriteti të qëndrueshëm transatlantik përbëjnë dy prioritete që ecin paralelisht në politikën e jashtme shqiptare.
Ambasadori Eric Wendt ka nisur kështu takimet e para institucionale në Shqipëri, ndërsa nga pala shqiptare është shprehur gatishmëria për një bashkëpunim të afërt dhe të qëndrueshëm gjatë mandatit të tij.