Bota
Erdogan: Turqia po kryen revolucion në mbrojtje
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia po vijon zgjerimin e kapaciteteve të saj në industrinë e mbrojtjes, duke e cilësuar zhvillimin e këtij sektori si një “revolucion të plotë”.
Gjatë fjalës së tij në festivalin teknologjik “TEKNOFEST Juglindje”, në provincën Sanliurfa, Erdogan tha se Ankaraja do të vazhdojë investimet dhe përpjekjet për të rritur më tej kapacitetet e industrisë së mbrojtjes.
“Turqia po vazhdon suksesin në industrinë e mbrojtjes. Ne po kryejmë revolucion të plotë në këtë fushë”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan tha gjithashtu se Turqia është e gatshme të ndihmojë vendet mike në përmbushjen e nevojave të tyre në fushën e mbrojtjes, kur një gjë e tillë kërkohet.
“Kur na kërkohet, ne gjithashtu përmbushim nevojat e miqve tanë për mbrojtje. Ne besojmë se sa më të fortë të jenë miqtë tanë, aq më të fortë do të jemi edhe ne”, u shpreh ai.
Presidenti turk tha se synimi i Ankarasë është të konsolidojë më tej pozicionin e saj përmes zhvillimit të platformave të reja dhe arritjes së rekordeve të tjera në këtë sektor.
“Do t’i forcojmë më tej këto arritje me rekorde të reja dhe platforma të reja me konkurrueshmëri të lartë dhe vlerë të shtuar”, shtoi Erdogan.