Politike
Agasi dhe Vlora Hyseni kanë filluar të flasin/ Berisha nga SPAK: E kanë kuptuar që Rama i ka shitur
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama pas paraqitjes së tij në SPAK, ku shkoi në zbatim të masës së sigurisë ndaj tij.
Duke folur për gazetarët, Berisha u ndal te zhvillimet që lidhen me Ergys Agasin, Ermal Beqirin dhe Vlora Hysenin, duke pretenduar se ata tashmë kanë kuptuar se janë braktisur politikisht nga kryeministri dhe kanë nisur të flasin.
“Tani çfarë ka ndodhur, Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Vlora Hyseni po e kuptojnë që i ka shitur Rama. I pabesi, besë nuk ka”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të opozitës, personat në fjalë kishin marrë më parë garanci, por tashmë, sipas tij, situata ka ndryshuar.
“Pra, ky i ka shitur dhe ata kanë filluar të flasin. Ata e kuptuan se njeriu që u kishte dhënë të gjitha garancitë i lëshoi në duart e policisë”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati pretendoi gjithashtu se ekzistojnë qindra komunikime që, sipas tij, lidhin Ramën me persona të përfshirë në çështjet që po hetohen.
Ai iu referua gjithashtu një pretendimi për mijëra mesazhe, duke deklaruar: “Nga 6 mijë mesazhe, 4 mijë janë të tuajat”.
Sipas Berishës, zhvillimet e fundit lidhen me përpjekjen për të mbrojtur kryeministrin nga materiale që kreu i PD-së pretendon se ndodhen në dosjet hetimore.
“Është e tëra për të shpëtuar Ramën nga provat që nuk mund t’i zhvlerësojë kurrë”, deklaroi ai.