✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“Vazhdoni shikoni ëndrra”/ Zegjine Çaushi i përgjigjet Gjin Gjonit për Territorialen

Debati për votat e nevojshme për miratimin e reformës territoriale është zhvendosur në Komisionin e Ligjeve, ku mazhoranca dhe opozita janë përplasur për hartën e re territoriale dhe mbështetjen që ajo pritet të marrë në Kuvend.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, iu referua raportimeve mediatike se dy deputetë të Partisë Socialiste kanë kundërshtuar propozimin e mazhorancës për hartën e re territoriale. Gjoni shprehu shpresën që ata të ruajnë të njëjtin qëndrim edhe gjatë votimit në Kuvend.

“Nga burimet mediatike sot, dy deputetë në grupin tuaj parlamentar e kanë kundërshtuar. Shpresojmë të qëndrojnë deri në momentin e fundit dhe do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për komunitetet dhe bashkitë që kërkojnë të mos shkrihen”, deklaroi Gjoni.

Deklaratës së tij iu përgjigj deputetja e PS-së, Zegjine Çaushi, e cila u shpreh e bindur se mazhoranca i disponon 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës.

“Për atë që tha zoti Gjoni, vazhdoni shikoni ëndrra, vazhdoni mbani veshët pas derës. I kemi apo s’i kemi ne ato 84 votat tona. Ne e kemi provuar disa herë se çfarë skuadre dhe ekipi solid jemi. Kështu që edhe këtë të enjte do ta shikoni shumë mirë se kush ne jemi”, tha Çaushi.

Diskutimet në Komisionin e Ligjeve janë shoqëruar me debate të tjera mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht lidhur me procesin e konsultimit për reformën territoriale. Votimi në Kuvend pritet të përcaktojë nëse mazhoranca do të sigurojë 84 votat e kërkuara për miratimin e ndryshimeve.

Advertisement