✦
Thinking ...
Connect with us

Pinknews

Skeçi i protestës u cilësua në rrjet si “tallje”/ Reagon Agron Llakaj: Qeshni, merreni jetën me sportivitet

Aktori i humorit Agron Llakaj ka reaguar pas kritikave të shumta në rrjet lidhur me një prej skeçeve të “Portokalli”, ku u satirizuan disa personazhe që morën pjesë në protestën e qytetarëve kundër klasës politike.

Në një prononcim për Top Channel, Llakaj ka sqaruar se qëllimi i skeçit nuk ka qenë të ironizojë protestën apo mesazhin e saj, por personazhe dhe situata që u bënë virale gjatë protestës dhe më pas në rrjetet sociale.

“Ato personazhe që ne ngritëm në protestën tonë në ‘Portokalli’ janë personazhe që u bënë virale. U bënë meme po aty në protestë. Dhe me njerëz që kanë abuzuar me protestën duke sjellë skena qesharake. Kjo ka qenë dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër”, është shprehur Llakaj.

Aktori ka kundërshtuar gjithashtu komentet se skeçi ka fyer protestën apo qytetarët që morën pjesë në të.

“Ne nuk shajmë askënd, nuk fyejmë askënd, jo më protestën dhe atë që përfaqëson ajo. Ne jemi artistë të humorit, prodhojmë humor duke përcjellë mesazhe”, ka deklaruar ai.

Llakaj ka theksuar se satira e “Portokalli” nuk është e fokusuar vetëm te një krah politik, duke argumentuar se emisioni prej vitesh trajton zhvillimet politike dhe sociale në vend.

“Ne kemi marrë jetën tonë, Shqipërinë tonë, fenomenet politike e sociale dhe i kemi pasqyruar sipas këndvështrimit tonë. Aty ka qëndrim ndaj mazhorancës, Edi Ramës, opozitës, Sali Berishës”, tha aktori.

Në përfundim, Llakaj iu drejtua edhe kritikëve të skeçit, duke i ftuar ta shohin atë në kontekstin e humorit dhe satirës.

“Qeshni, merreni jetën më me sportivitet. Ne nuk jemi një zë kundër rrymës”, përfundoi Llakaj.

Advertisement